Në kuadër të muajit të pejgamberit Muhamed a.s., Mexhlisi i Bashkësisë Islame në Ulqin organizoi një program në xhaminë e Mezjahut.
Në këtë program ligjërues ishte myftiu Muhamed Sytari nga Shkodra.
Myftiu tha se ne si njerëz kemi nevojë për Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, që të korrigjojë jetën tonë, marrëdhëniet tona me njerëzit me mesazhin e thirrjes së tij, shembullin e tij, sepse ai është njëri prej nesh i dërguar nga Allahu u dërgua të na mësoi Islamin. E lexojmë ajetin në fund të sures Kehf: Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askë”.” El-Kehf 110
Ky Islam që erdhi me pejgamberin tonë është i thjeshtë dhe i lehtë për t’u praktikuar.
Ai gjithashtu tregoi shembuj të dashurisë së Pejgamberit, paqja qoftë mbi të, për umetin e tij, për dashurinë e tij për shokët dhe vëllezërit e tij, që jemi ne.
Në këtë program ka marrë pjesë edhe hafizi më i ri nga Ulqini, Amar Azizaj.
Hafizi hapi programin ku lexoi pjesë nga Kurani i famëlartë.
Imamët Besim Cura, Alban Kali dhe Rrustem Zaga lexuan pjesë nga mevludi i Hafiz Ali Riza Ulqinakut, ndërsa kryeimami i Ulqinit Ali Bardhi , bëri duan e mevludit dhe falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen.