Dhul-Hixhe (Dhu Hixhe, Dhul Haxh), që fjalë për fjalë do të thotë “muaji i pelegrinazhit, muaji i haxhit”, është muaji i fundit i vitit hënor.

Agjërimi në nëntë ditët e para të Dhul-Hixhes është i pëlqyeshëm. Mund të agjërohet nëntë ditët e para të Dhulhixhes, por edhe disa ditë.

Pejgamberi ynë (a.s.) shpjegoi virtytin e dhjetë ditëve të para të këtij muaji, i cili përfshihet si në stinën e haxhit ashtu edhe në muajt e shenjtë. Ai (s.a.v.s.) tha: “Nuk ka vepër më të dashur tek Allahu se një vepër e mirë e bërë në këto dhjetë ditë.” (Buhari, Idejn, 11)

Dita e Arafatit, dita e nëntë e Dhul-Hixhes, ka një vend të rëndësishëm në fe. Lidhur me kalimin e kësaj dite me agjërim, Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Ai që e agjëron ditën e Arafatit i falen mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit që vjen.” (Muslim)

Mirëpo, është më e përshtatshme që ata që janë në haxh, të mos agjërojnë ditën e Arafatit, në mënyrë që të mos ndjehen të shqetësuar dhe të dobët.

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilat puna e mirë është më e mirë dhe më e dashur tek Allahu se sa në këto dhjetë ditë.” (Ebu Davud)
Po ashtu ka thënë : “Lutja më e mirë është ajo në ditën e Arafatit, dhe fjalët më të mira që i kam thënë unë dhe pejgamberët para meje janë: “La ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike lehu, lehul-mulku ve lehul-hamdu, ve huve a’la kul-li shej’in kadir.(S’ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut, i Cili është i vetëm dhe i pashoq! Atij i përket sundimi e lavdia dhe Ai është i fuqishëm të bëj çdo gjë!)” (Sahih el-xhami)

Muaji i Dhu Hixhes për vitin 2024 do të fillojë të premten, më 7 qershor.

Dita e 9-të e Dhul Hixhes, dita e Arafatit është të shtunën, më 15 qershor.

Dita e 10 e Dhul Hixhes që është dita e parë e Kurban Bajramit, është të dielën më 16 qershor.