Mëshirë do të thotë të mbrosh dhe të jesh i dhembshur; t’i ndjesh të tjerët e të sillesh me masë; është ndjeshmëri zemre dhe butësi gioksi. Mëshira, është reflektim i njërit prej emrave të bukur të Allahut, Er-Rrahman.

Të gjitha krijesat i rrethon nga të gjitha anët mëshira e gjerë e Allahut; dalja në ekzistencë nga hiçi, krijimi i tyre i parë ka ndodhur me reflektimin e mëshirës së Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Allahu, është ‘Rahman dhe Rahim’ që do të thotë bartës i mëshirës së pakufishme e të pafundme’. Ai (Allahu), duke thënë: “Mëshira Ime e tejkalon hidhërimin Tim,” tregon qartë se mëshira e Tij vjen para madhështisë së Tij. Zoti ynë i Lartëmadhërishëm i ndjen të gjitha gjallesat që i ka krijuar me këte mëshirë, i trajton me dhembshuri ato dhe i begaton duke u falur të mira.

Tipari më i theksuar i individit më të përkryer të njerëzimit, që është i Dërguari s.a.v., ishte të qenët Pejgamber i Mëshires dhe i Dhembshurise. Pikërisht kjo najenjë ishte ajo që i bënte njerëzit të mblidheshin rreth tij. Allahu i cili ka bërë që të jetë Mëshira, edhe Pejgamberin e Tij e ka zbukuruar me mëshirë, si dhe i ka urdhëruar besimtarët ta zbukurojne veten me këtë vlerë dhe t’i këshillojnë dhembshurinë njëri-tjetrit.

Besimtarët, të cilët e përvetësojnë moralin e Kur’anit dhe u japin drejtim qëndrimeve dhe sjelljeve të tyre sipas personalitetit shembullor të Pejgamberit s.a.v., duhet të jenë të mëshirshëm mes tyre. Me shpjegimin e Pejgamberit tonë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë për njëri-tjetrin, në mëshirën dhe dhembshurinë ndaj njëri-tjetrit, është si një trup ku nëse sëmuret ndonjë nga organet, dhimbjen e ndajnë edhe organet e tjera përmes pagjumësisë e temperaturës së lartë.

Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes mëshirës dhe besimit. Njeriu që beson tek Allahu, ushqen ndjenjën e mëshirës karshi krijesave të Allahut. Të qenët i mëshirshëm nuk kufizohet në një hapësirë të ngushtë. Kur i Dërguari i Allahut u vuri në dukje sahabëve se Allahu ndjenjën e mëshirës do ta vendosë vetëm në zemrat e besimtarëve që e vlerësojnë mëshirën, shokët i thanë: “O i Dërguari i Allahut, ne të gjithë jemi të mëshirshëm me njëri-tjetrin.” Por Pejgamberi s.a.v. theksoi se me mëshirë në këtë rast nuk nënkuptonte vetëm mëshirën për shokët, por mëshirën që duhet t’u tregohet të gjithë njerëzve.

Nuk duhet harruar se Allahu sillet përmes kësaj mëshire të gjërë ndaj qiejve, tokës e njerëzve. Është shumë e qartë se njeriu mëshirën duhet ta ketë si parim primar për vetën. Sepse mëshira dhe dhembshuria e afrojnë njeriun tek Allahu, tek mëshiruesi i vërtetë, dhe e bën njeriun mik me Të.
Prandaj rruga e atij që ka për qëllim afrimin tek Allahu, kalon përmes të qenit i mëshirshëm dhe i dhembshur. Prandaj çdo besimtar duhet ta dijë se rruga për në xhennet kalon përmes të qenit i mëshirshëm.