Nën organizimin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, në qytetin historik të Prizrenit u promovua vepra “Kurani fisnik – përkthimi shqip”, një botim me rëndësi të madhe për besimtarët dhe studiuesit e fesë islame.

Në këtë promovim morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, drejtori për botime në Dijanet-in e Turqisë, z. Cafer Tayyar Doymaz, anëtarë të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, kryetarë dhe kryeimamë të Këshillave, profesorë, studiues, dashamirë të librit e kulturës, si dhe shumë të ftuar të tjerë.

Gjatë fjalës së tij, Myftiu Naim ef. Tërnava, theksoi rëndësinë e këtij botimi në përhapjen dhe kuptimin e drejtë të mesazhit hyjnor, duke falënderuar organizatorët për punën e tyre të palodhur. Ai gjithashtu falënderoi në mënyrë të veçantë Dijanet-in e Turqisë për botimin e Kuranit, duke shprehur kështu falënderimet e tij për bashkëpunimin dhe për ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë Dijanet-i për Bashkësinë Islame të Kosovës.

Ndërkaq, drejtori për Veprimtari Botuese i Dijanet-it të Turqisë, z. Cafer Tayyar Doymaz, theksoi se është detyrë që Kurani të përkthehet në çdo gjuhë të botës. Ai u shpreh i gëzuar që ky projekt u përfundua në prag të muajit të shenjtë Ramazan dhe shprehu mbështetjen për nisma të tilla që forcojnë lidhjet shpirtërore dhe kulturore.

Në këtë tubim mbajti fjalë edhe drejtori për Veprimtari Botuese i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Ramadan Shkodra, i cili theksoi se shqiptarët gjithmonë i kanë kushtuar rëndësi të madhe dijes dhe se përkthimi i Kuranit ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në mënyrën e jetesës së tyre.

Ai dha më shumë detaje rreth përkthimit
dhe njoftoi se ai do të shpërndahet si dhuratë në të gjitha trojet shqiptare.

Ndërsa prof. Besnik Jaha, redaktor gjuhësor i këtij botimi, theksoi se mesazhet hyjnore janë ruajtur si amanet ndër shekuj dhe se rëndësia e redaktimit shkon përtej korrektësisë gjuhësore, duke pasur përgjegjësi të madhe në qartësinë dhe saktësinë e tekstit. Ai shtoi se redaktimi i një vepre si përkthimi i Kuranit është një detyrë më e rëndësishme dhe më sfiduese sesa çdo titull apo nderim.

Në përmbyllje të këtij tubimi, për të pranishmit u shpërndanë disa kopje të Kuranit.

Theksojmë se “Kurani Fisnik – përkthimi shqip” është përgatitur, redaktuar dhe lejuar për botim nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në bashkëpunim me “Diyanet İşleri Başkanlığı Yayınları”, “Türkiye Diyanet Vakfı” dhe Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ky botim është përkthim i myderrizit të shquar, haxhi Sherif Ahmeti.