Xhamia e Pinjeshit në Ulqin ishte e mbushur plot me xhemat, besimtarë të cilët kishin ardhur për të dëgjuar ligjërimet e hoxhallarëve të nderuar, dr. Shefqet ef. Krasniqi dhe Xhevahir ef. Arifaj, kryeimamin e Dinoshës.
Hoxhë Xhevahir ef. Arifaj, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e agjërimit si obligim dhe si një mundësi për pastrimin shpirtëror e afrimin me Zotin. Ai theksoi se vitet kalojnë shpejt dhe se besimtarët duhet ta shfrytëzojnë këtë mirësi të Allahut, pasi askush nuk e di nëse do ta arrijë Ramazanin e ardhshëm. “Sa e sa miq dhe shokë kemi pasur në xhami në Ramazanin e kaluar, ndërsa këtë vit nuk janë më me ne. Sa e sa njerëz nuk ishin në xhami vitin e kaluar, ndërsa tani i shohim që përgatiten për këtë muaj të shenjtë në xhami,” tha ai.
Nga ana tjetër, hoxha i njohur dr. Shefqet Krasniqi, duke këshilluar dhe përkujtuar xhematin, nënvizoi se vepra e mirë dhe reflektimi janë thelbësore në jetën e një muslimani. Ai theksoi rëndësinë e respektimit të parimeve të Islamit dhe përmbushjes së tyre sipas dispozitave fetare. “Mos të anashkalojmë obligimet tona fetare dhe të ndjekim shembullin e të Dërguarit të Allahut, i cili gjithmonë i këshillonte shokët e tij për çështje të ndryshme. Edhe ne duhet të këshillojmë njëri-tjetrin dhe të ndihmojmë për të qenë më të përkushtuar ndaj fesë së pastër,” u shpreh dr. Krasniqi.
Ky tubim frymëzues në Xhaminë e Pinjeshit në Ulqin shërbeu si një moment reflektimi për të gjithë besimtarët, duke theksuar vlerat e agjërimit, lutjes dhe afrimit me Allahun gjatë këtij muaji të shenjtë.