Dy vjet pas Hixhretit, një karvan tregtar i idhujtarëve të Mekës, nën drejtimin e Ebu Sufjanit, ishte nisur për në Shamin. Karvani, i përbërë nga qindra deve, kuaj dhe mallra të çmuara tregtare, po kthehej drejt Mekës pas përfundimit të tregtisë në Sham. Në mesin e këtyre mallrave ndodheshin edhe pasuritë e myslimanëve, të cilat ata ishin detyruar t’i linin pas kur emigruan nga Meka, e që më pas idhujtarët i kishin grabitur dhe tregtuar për përfitime të tyre.

I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) dhe shokët e tij vendosën të ndalonin këtë karvan për të rikthyer të drejtat e tyre të grabitura. Kështu, më 12 të muajit Ramazan, një grup prej rreth 315 myslimanësh u nisën nga Medina për të ndërprerë rrugën e karvanit kurejshit.

Beteja e Bedrit nuk ishte një përballje e zakonshme, por një moment historik vendimtar për myslimanët. Ishte një luftë për ekzistencë, ndaj ata që morën pjesë në këtë betejë u veçuan dhe u quajtën “Ashabët e Bedrit”, duke u nderuar për guximin dhe sakrificën e tyre. Në një kohë kur myslimanët ishin ende pakicë dhe të dobët, çdo humbje do të kishte pasoja fatale, duke i lënë ata të ekspozuar ndaj armiqve të tyre të pamëshirshëm.

Fitorja në Bedër shënoi një kthesë të madhe për myslimanët, duke treguar se e vërteta dhe drejtësia mund të triumfojnë mbi padrejtësinë, edhe kur duket e pamundur.