Në një atmosferë solemne dhe me pjesëmarrje të gjerë, u zhvillua sot ceremonia protokollare e përurimit të dhjetëra projekteve të restaurimit të objekteve të kultit në disa vende të botës, në kuadër të programit të “Javës së Fondacioneve” (Vakıflar Haftası), organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Fondacioneve pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Türkiyes. Një nga pikat qendrore të këtij programi ishte pikërisht përurimi i Xhamisë së Plumbit në Shkodër, një nga monumentet më të vjetra e të rëndësishme të trashëgimisë kulturore osmane në Shqipëri.
Në ceremoninë e mbajtur në Shkodër morën pjesë personalitete të larta vendase dhe të huaja, përfshirë Presidentin e Türkiyes, Sh.T.Z. Recep Tayyip Erdoğan (në lidhje direkte nga Ankaraja), Myftiun e Shkodrës Imam Muhamed B. Sytari, ambasadorin turk në Tiranë, kryetarin e Bashkisë Shkodër, përfaqësues të komunitetit fetar dhe diplomatik, si dhe qytetarë të shumtë.
Me këtë rast, Myftiu i Shkodrës priti në një takim kortezie Atasheun për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Türkiyes, z. Adem Gerlegiz, të cilit i shprehu falënderimet për bashkëpunimin ndërvite dhe kontributin në gjallërimin e jetës fetare islame në qytet. Myftiu Sytari vlerësoi se përurimi i xhamisë është një dëshmi e gjallë e vëllazërisë shekullore ndërmjet dy popujve dhe një gur themeli për zhvillimin kulturor dhe fetar të qytetit.
Pas restaurimit të plotë, Xhamia e Plumbit pritet të shërbejë jo vetëm si një qendër fetare, por edhe si një atraksion kulturor për vizitorët vendas dhe të huaj, duke ruajtur dhe forcuar identitetin historik të qytetit.
Xhamia, e ndërtuar në vitin 1773 nga Mehmet Pashë Bushati, Xhamia e Plumbit është një ndër objektet më të vjetra fetare në Shkodër, e njohur për arkitekturën e saj unike dhe për kupolën e mbuluar me plumb, nga ku e ka marrë edhe emrin.
Presidenti Erdoğan, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë së përbashkët kulturore mes dy vendeve dhe shprehu kënaqësinë për përfundimin me sukses të këtij projekti. Pas dëmtimeve të përsëritura nga përmbytjet dhe mungesës së mirëmbajtjes, monumenti i kategorisë së parë historike është restauruar.
Xhamia, e cila përveç funksionit fetar ka qenë gjithashtu një pikë referimi për identitetin historik të Shkodrës, vazhdon të vizitohet nga qytetarë dhe turistë që admirojnë bukurinë dhe qëndrueshmërinë e saj përballë kohës.