Fjalimi i Diellza Kajoshaj, nxënëse e gjeneratës në Medresesë “Mehmed Fatih”, është një dëshmi e fuqishme e ndikimit që arsimimi i bazuar në vlera fetare dhe morale ka në formimin e karakterit të të rinjve. Me një gjuhë të thjeshtë, por thellësisht të ndjerë, ajo përçoi falënderim, mirënjohje dhe këshilla me peshë për bashkëmoshatarët dhe brezat që do të vijnë.

Fjalimi është mbajtur në akademinë solemne me rastin e përfundimit të shkollimit të nxënësve dhe nxënëseve të Medresesë “Mehmed Fatih”, përkatësisht gjeneratës së 14-të të maturantëve dhe të 10-të të maturanteve.

Në këtë ngjarje akademike, e cila u mbajt në një atmosferë të mbushur me emocione, falënderime dhe krenari, u shpërblyen nxënësit më të dalluar, të cilët u nderuan si “Nxënës të gjeneratës”. Ndër ta ishte edhe Diellza Kajoshaj, e cila, si nxënëse e gjeneratës, iu drejtua të pranishmëve me një fjalim.

Më poshtë ju sjellim fjalimin e saj të plotë:

“Selam alejkum të gjithëve, Medreseja për mua është një shkollë që më mësoi për dyanshmëritë e botës, e cila është si një pasqyrë me dy fytyra. Të jesh nxënëse e medresesë nuk do të thotë vetëm të ndjekësh një rrugë drejt dijes, por edhe një rrugë drejt virtyteve njerëzore, që për ne si myslimanë forcojnë dinjitetin islam dhe besimin në të Madhërishmin.

Po të më ofrohej mundësia të kthehesha mbrapa në kohë, për të marrë sërish vendimin se ku të vazhdoja shkollimin, do të bëja përsëri të njëjtën zgjedhje, do të regjistrohesha në këtë medrese. Sepse kjo shkollë më bëri të njoh më mirë jetën islame, më saktë jetën e duhur.

Dija dhe dashamirësia e mësimdhënësve ndihmuan që secili prej nesh të formojë një karakter më të fortë në besim. Na ndihmuan të forcojmë besimin, të mos humbasim shpresën, të mos fokusohemi në negativitet, por të përqafojmë pozitivitetin.

Nxënës të tanishëm dhe ju që do të bëheni pjesë e kësaj familjeje të madhe, dua t’ju jap disa këshilla: Çmoni këto katër vite. Vlerësoni mundin e mësimdhënësve që ju mësojnë për fenë dhe virtytet islame. Ju lutem, mos harroni t’i përuleni Zotit. Bini në sexhde Atij, të vetmit që e meriton. Mos bini pre e mashtrimeve të kësaj bote.

Profesorë dhe profesoresha, faleminderit për çdo përkushtim, mësim e këshillë. U jam mirënjohëse për gjithçka që keni bërë për ne.

Gjithashtu, falënderim i veçantë për z. Ahmetin Kajoshaj, i cili më mundësoi përfundimin e kësaj shkolle.

Tani… secilit nga ju që jeni këtu të pranishëm, nga thellësia e zemrës ju dëshiroj: suksese, shëndet, lumturi, paqe dhe mirësi. Ju faleminderit. Selam alejkum.”

Kjo akademi dëshmoi edhe një herë përkushtimin dhe suksesin e Medresesë “Mehmed Fatih” në edukimin dhe formimin e gjeneratave të reja në frymën e dijes, fesë dhe moralit të lartë.