Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi ka reaguar ndaj situatës aktuale në vend dhe kërcënimeve të bëra ndaj Reisit të Bashkësisë Islame të Malit të Zi, z. Rifat ef. Fejziqit.

Në reagimin e bërë publik, Këshilli shpreh shqetësimin e tij për zhvillimet e fundit që pasuan incidentin mes disa qytetarëve të Malit të Zi dhe atyre turq që jetojnë e punojnë në vend.

“Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit pas incidentit të ndodhur ndërmjet disa qytetarëve të Malit të Zi dhe qytetarëve turq që jetojnë e punojnë në vend. Shprehim keqardhje për ngjarjen dhe urojmë shërim sa më të shpejtë të të lënduarve,” thuhet në reagim.

Këshilli thekson se është dëshmitar i eskalimit të situatës në forma të papranueshme, përmes gjuhës së urrejtjes, thirrjeve raciste dhe kërcënimeve, përfshirë ato të drejtuara ndaj Reisit Fejziq.

“Dënojmë ashpër çdo formë të intolerancës, dhunës dhe gjuhës së urrejtjes, pavarësisht nga buron ajo. Këto akte dëmtojnë themelet e shtetit multietnik dhe harmoninë ndërfetare që përbën vlerë thelbësore të shoqërisë malazeze,” theksohet më tej.

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve u bën thirrje institucioneve kompetente që të ndërmarrin masa të menjëhershme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit dhe për garantimin e rendit, sigurisë dhe të drejtave të çdo qytetari.

Në përmbyllje, Këshilli thekson përkushtimin e tij ndaj vlerave të bashkëjetesës, respektit dhe tolerancës, duke nënvizuar se vetëm përmes dialogut dhe sundimit të ligjit mund të ruhet paqja dhe të ecet drejt integrimit evropian.

Kryetari i Këshilli Kombëtar të Shqiptarëve
Faik Nika