Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH) ka reaguar ashpër pas kërcënimeve të bëra ndaj Reis-it të Bashkësisë Islame të Malit të Zi, z. Rifat Fejziq.
Në reagimin zyrtar, kryetari i UDSH-së thekson se këto kërcënime nuk janë vetëm ndaj udhëheqësit fetar, por ndaj gjithë besimtarëve myslimanë në Mal të Zi.
“Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH) dhe unë, si kryetar i tij, e dënojmë ashpër kërcënimin që i është bërë Reis-it të Bashkësisë Islame të Malit të Zi, z. Rifat Fejziq. Mendojmë se këto kërcënime, të drejtuara ndaj tij, në të vërtetë janë kërcënime ndaj të gjithë besimtarëve myslimanë në Mal të Zi.
Reisi nuk ka bërë asgjë që të meritojë një gjë të tillë, as nuk ka kontribuar në asnjë mënyrë që të kërcënohet. Ai ka reaguar vetëm në frymën e fesë islame lidhur me ngjarjet e fundit, gjatë të cilave janë dëgjuar fjalë fyese dhe shqetësuese.
Kushdo që mendon se ngjarje të tilla do të kalojnë në heshtje, gabon rëndë, sepse Mali i Zi mund të jetë vetëm si shtet qytetar, multikonfesional dhe multietnik — pasi të gjitha kombësitë dhe besimet kanë kontribuar pa rezerva në rinovimin e shtetësisë,” thuhet në reagim.








