Reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat ef. Fejzić, mori pjesë në ceremoninë e 10-vjetorit të organizatës humanitare “Fundjavë Ndryshe”, një nismë vullnetare që përgjatë një dekade është shndërruar në një simbol të humanizmit dhe solidaritetit në Shqipëri dhe më gjerë.
Ky përvjetor përkon me Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit – 5 Dhjetorin, duke i dhënë kësaj ngjarjeje një domethënie të veçantë, pasi “Fundjavë Ndryshe” ka bashkuar mijëra të rinj që kanë ofruar kohën, energjinë dhe zemrën e tyre për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Në fjalën e tij, Reisi Fejzić vlerësoi kontributin e vullnetarëve dhe theksoi se humanizmi është një vlerë që pasuron të gjithë shoqërinë. Ai rikujtoi se “bamirësia nuk të varfëron”, duke e cilësuar “Fundjavë Ndryshe” si një model të fuqishëm të mobilizimit qytetar.
Në aktivitet ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Shqipërisë, autoritete shtetërore, personalitete të jetës publike dhe mbështetës të nismës që prej fillimit të saj.
Pas pjesëmarrjes në event, Rifat ef. Fejzić e shpërndau mesazhin e tij edhe në rrjetin social X, ku shkroi :
“Në shoqërinë e Kryeministrit të Shqipërisë dhe shumë autoriteteve, në jubileun e OH ‘Fundjavë Ndryshe’ në Tiranë. ‘Bamirësia nuk të varfëron’. Urime.”
Përvjetori i 10-të i “Fundjavë Ndryshe” u shënua si një ditë reflektimi, mirënjohjeje dhe frymëzimi, duke dëshmuar se solidariteti dhe vullneti i mirë vazhdojnë të jenë themele të një shoqërie më humane.








