Ndihmës-reisi i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Behlul ef. Kanaqi, zhvilloi një vizitë te kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, në kuadër të marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy bashkësive simotra.
Në këtë takim, Behlul ef. Kanaqi shoqërohej nga kryeimami i Mexhlisit të Ostrosit, Irfan ef. Kaca, dhe kryetari Sali Doda, përfaqësues të trevës së Krajës.
Gjatë bashkëbisedimit u theksua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Bashkësisë Islame të Malit të Zi dhe asak të Kosovës, me theks të veçantë në fushën e arsimit fetar, kulturës, trashëgimisë dhe zhvillimit të jetës islame.
Ndihmës-reisi Behlul ef. Kanaqi shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e tij për Myftiun Naim ef. Tërnava dhe Bashkësinë Islame të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme ndaj besimtarëve të Krajës dhe shqiptarëve në trevat e tjera të Malit të Zi. Ai vlerësoi veçanërisht ndihmën në fushën e arsimit, literaturës fetare dhe ruajtjes së vlerave tona kombëtare e shpirtërore.
Nga ana e tij, Myftiu Naim ef. Tërnava rikonfirmoi përkushtimin dhe gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj besimtarëve shqiptarë në Mal të Zi, duke nënvizuar rëndësinë e solidaritetit, unitetit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve islame.
Takimi u zhvillua në frymën e respektit të ndërsjellë dhe vëllazërisë, duke riafirmuar lidhjet e forta ndërmjet dy bashkësive islame dhe angazhimin e përbashkët për ruajtjen e fesë, identitetit, traditës dhe trashëgimisë sonë kombëtare e fetare.









