Të nderuar besimtarë!
Një ditë, i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) u tha shokëve të tij:
“A e dini se kush është i falimentuar?”
Sahabët u përgjigjën: “I falimentuar është ai që ka humbur pasurinë dhe pronën e tij.”

Atëherë i Dërguari i Allahut (s.a.s) tha:

“Një njeri në Ditën e Kiametit do të vijë me namaz, agjërim dhe zekat. Por, gjatë jetës së tij në këtë botë, i ka sharë të tjerët, ka shpifur, u ka marrë pasurinë, ka derdhur gjak, ka rrahur dikë. Për secilin prej këtyre shkeljeve, veprat e tija të mira do t’u jepen atyre që u ka bërë padrejtësi. Nëse veprat e tija të mira mbarojnë para se ti paguajë plotësisht, atëherë mëkatet e atyre që ka dëmtuar do t’i ngarkohen atij, dhe pastaj do të hidhet në zjarrin e xhehenemit. Ky pra është i falimentuari i vërtetë.” ( Muslim, Birr, 59. )

Të dashur vëllezër dhe motra në besim!

Shumica e të këqijave në familje, shoqëri dhe në botë lindin nga shkelja e të drejtave të njerëzve. Fatkeqësisht, ndonjëherë për shkak të zakonit, ndonjëherë nga pakujdesia, e ndonjëherë me qëllim, këto të drejta shkelen. Ruajtja e jetës, fesë, pasurisë, mendjes dhe brezit janë parimet themelore të Islamit. Këto të drejta janë të shenjta dhe të paprekshme para Allahut. Shkelja e tyre është mëkat i rëndë dhe padrejtësi e madhe.

Vëllezër të dashur!
Shkelja më e madhe e të drejtave është marrja e jetës së një njeriu. Për fat të keq, sot zullumqarët vazhdojnë ta bëjnë këtë krim para syve të botës. Allahu i Madhëruar thotë: ‫

وَمَن یَقۡتُلۡ مُؤۡمِنࣰا مُّتَعَمِّدࣰا فَجَزَاۤؤُهُۥ جَهَنَّمُ خَـٰلِدࣰا فِیهَا وَغَضِبَ ٱللَّهُ عَلَیۡهِ وَلَعَنَهُۥ وَأَعَدَّ لَهُۥ عَذَابًا عَظِیمࣰا﴿ ٩٣ ﴾‬

“Kush e vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është zjarri i xhehenemit ku do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me të, e ka mallkuar dhe ka përgatitur për të një dënim të madh.” ( Nisâ, 4/93. )

Ne duhet të mos heshtim ndaj padrejtësive, sidomos në Gaza, por të rrisim ndihmën tonë materiale dhe shpirtërore për të shtypurit.

Besimtarë të nderuar!

Ndryshimi i pjesëve të trashëgimisë që Allahu ka caktuar, pa pëlqimin të ndërsjelltë, është kundër drejtësisë hyjnore. Privimi i vajzave nga trashëgimia, apo mospranimi i asaj që Allahu ka caktuar, është shkelje e të drejtave. Marrja e tokës së tjetrit, grabitja e pasurisë, apo mashtrimi me deklarata të rreme janë si veshja e këmishës prej zjarri. I Dërguari (s.a.s) ka thënë:

وَقَالَ رَسُولُ اللّٰهِ صَلَّي اللّٰهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ:
مَنِ اقْتَطَعَ شِبْرًا مِنَ الأَرْضِ ظُلْمًا طَوَّقَهُ اللّٰهُ إِيَّاهُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ مِنْ سَبْعِ أَرَضِينَ

“Kush merr padrejtësisht edhe një pëllëmbë tokë, në Ditën e Gjykimit Allahu do t’ia mbështjellë qafën me shtatë palë tokë.” ( Muslim, Musâkât, 137. )

Vëllezër të respektuar!

Favorizimi i padrejtë, mosbarazia në punë, mosdhënia e pagës në kohë, ngarkimi me punë mbi mundësitë, apo punësimi pa sigurim janë shkelje të të drejtave. Po ashtu, dëmtimi i pasurisë së punëdhënësit, mosrespektimi i orarit, marrja e lejes mjekësore pa qenë i sëmurë janë gjithashtu shkelje të rënda. Ndërtimi pa kontroll teknik, përdorimi i materialeve të dobëta, mashtrimi i klientëve vendas apo të huaj, shitja e mallrave me afat të skaduar ose me substanca të dëmshme për shëndetin të gjitha këto janë të ndaluara.

I Dërguari (s.a.s) ka thënë:

‎ مَنْ غَشَّنَا فَلَيْسَ مِنَّا

“Kush na mashtron, nuk është prej nesh.” ( Muslim, Îmân, 164. )

Edhe zaptimi i rrugëve dhe trotuareve për interes personal, shpifja në rrjete sociale dhe cenimi i nderit të njerëzve janë shkelje të rënda. Muslimani duhet të jetë i pastër nga harami dhe padrejtësia.

Besimtarë të dashur!

Ndjenja e ruajtjes së të drejtave fillon në familje, rritet me edukatë të fortë dhe ndërgjegje shpirtërore. Mos harroni: shkelja e të drejtave do të jetë një nga llogaritë më të rënda në Ditën e Gjykimit. Pa marrë falje nga ai që i është bërë padrejtësi dhe pa ia kthyer të drejtat, nuk ka shpëtim nga dënimi i ashpër i ahiretit.

E përfundojmë hutben e sotme me ajetin 281 të sures El-Bekare:

‫وَٱتَّقُوا۟ یَوۡمࣰا تُرۡجَعُونَ فِیهِ إِلَى ٱللَّهِۖ ثُمَّ تُوَفَّىٰ كُلُّ نَفۡسࣲ مَّا كَسَبَتۡ وَهُمۡ لَا یُظۡلَمُونَ﴿ ٢٨١ ﴾‬

“Ruajuni nga një ditë kur do të ktheheni tek Allahu. Pastaj secilit do t’i jepet plotësisht ajo që ka fituar dhe nuk do t’i bëhet padrejtësi askujt.”