Në ambientet e Meshihatit të Bashkësisë Islame në Malin e Zi, u zhvillua një takim me rëndësi të veçantë akademike dhe kulturore. Një grup studiuesish nga Universiteti “Erciyes” i qytetit Kajseri (Türkiye), i udhëhequr nga Prof. Dr. Asli Sagiroglu, realizoi një vizitë zyrtare ku u pritën nga ndihmës Reisi, Dr. Behlul Kanaqi.

Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve akademike dhe Bashkësisë Islame, me fokus në studimin e traditës islame në rajon, dokumentimin dhe ruajtjen e monumenteve kulturore të myslimanëve në Malin e Zi, si dhe zhvillimin e hulumtimeve të përbashkëta shkencore.

“Bashkëpunimi në fushën e historisë së artit ndihmon në ndriçimin e vlerave tona të përbashkëta dhe në ruajtjen e trashëgimisë materiale që dëshmon kulturën tonë shekullore,” u vlerësua gjatë takimit.

Dr. Behlul Kanaqi i njohu mysafirët me aktivitetet e Meshihatit dhe rëndësinë që ky institucion i kushton ruajtjes së identitetit kulturor. Ky takim shënon një hap tjetër drejt forcimit të marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve, duke i dhënë një shtysë të re studimeve shkencore mbi të kaluarën dhe monumentet historike.