Në kuadër të ligjëratave të organizuara nga Meshihati i Bashkësisë Islame në Mal të Zi gjatë muajit të Ramazanit, në xhaminë e Pinjeshit në Ulqin u mbajt një ligjëratë fetare me pjesëmarrjen e ndihmës Reisit të Bashkësisë Islame në Mal të Zi dhe njëherësh kryeimamit të Bijello Poljes, Enis ef. Burxhoviq.
Gjatë ligjëratës së tij, Enis ef. Burxhoviq trajtoi tematika të rëndësishme që lidhen me vlerat shpirtërore të Ramazanit, rëndësinë e devotshmërisë dhe unitetit në mesin e besimtarëve. Ai theksoi se ky muaj është një mundësi për reflektim, pastrim shpirtëror dhe forcim të lidhjes me Zotin.
Pas ligjëratës, namazi i jacisë u fal nga hafizi i mirënjohur nga Egjipti, Ahmed el-Mejd, i cili me recitimin e tij të bukur të Kur’anit krijoi një atmosferë të veçantë shpirtërore për besimtarët e pranishëm.
Ky aktivitet është pjesë e programit të Bashkësisë Islame në Mal të Zi, që synon të sjellë mësime dhe frymëzim për besimtarët gjatë muajit të Ramazanit në xhamitë e ndryshme të vendit.
