Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, i Cili nga mëshira e Tij na jep sërish mundësinë të presim muajin e bekuar të Ramazanit, muajin e agjërimit, të Kur’anit, të mëshirës dhe të faljes. Salavatet dhe selamet qofshin mbi të dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin a.s., mbi familjen e tij të ndershme dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Të dashur vëllezër dhe motra, të nderuar bashkëqytetarë, fqinjë dhe miq,
Sonte, me namazin e akshamit, hyjmë në një kohë të zgjedhur që zemrat e besimtarëve i mbush me paqe dhe shpresë të veçantë. Ramazani nuk është vetëm muaj i heqjes dorë nga ushqimi dhe pija, por mbi të gjitha është muaj i kthimit te vetvetja, te familja dhe te Zoti ynë. Është kohë kur mësojmë të jemi njerëz më të mirë – më të durueshëm, më fisnikë dhe më të kujdesshëm ndaj të tjerëve.
Agjërimi na kujton vlerën e durimit, por edhe përgjegjësinë ndaj atyre që janë në nevojë. Prandaj, le të jetë Ramazani një mundësi për të hapur zemrat tona, për të forcuar lidhjet mes nesh, për të pajtuar të përçarët dhe për të ndihmuar ata që kanë nevojë për ndihmë.
Në këtë muaj të bekuar, Kur’ani filloi të shpallej si udhëzim për njerëzimin. Prandaj, le të mbushen shtëpitë tona me leximin e tij, e jetët tona me mesazhet e tij. Le të jetë Ramazani kohë në të cilën do ta ripërtërijmë besimin tonë, do t’i forcojmë familjet tona dhe do ta fuqizojmë unitetin tonë.
Në Mal të Zi, muaji i Ramazanit gjithmonë ka qenë dhe ka mbetur kohë kur veçanërisht dëshmohet vlera e harmonisë sonë multietnike dhe multireligjioze. Në ditët e agjërimit dhe mbrëmjet e iftarit, dëshmojmë se dallimi nuk është pengesë, por pasuri që na fisnikëron dhe na lidh. Prandaj, le të jetë Ramazani një mundësi për ta forcuar edhe më tej respektin e ndërsjellë, afërsinë fqinjësore dhe besimin mes të gjithë njerëzve, duke dëshmuar se paqja, mirëkuptimi dhe solidariteti janë themeli i qëndrueshmërisë dhe përparimit.
Muaji i Ramazanit bart mesazh të mirësisë jo vetëm për myslimanët, por për të gjithë njerëzit. Vlerat e tij – mëshira, solidariteti, përmbajtja dhe kujdesi për tjetrin – janë universale dhe të nevojshme për çdo shoqëri. Prandaj, le të jetë ky muaj një nxitje për të gjithë ne që të jemi më të mirë me njëri-tjetrin, të përhapim fjalën e paqes dhe të ndërtojmë një shoqëri ku çdo njeri do të jetë i respektuar, i sigurt dhe me dinjitet.
Në të njëjtën kohë, nuk duhet t’i harrojmë ata në botë që muajin e Ramazanit e presin në rrethana të vështira – të dëbuar, të shtypur, të privuar nga shtëpitë e tyre dhe nga dinjiteti themelor. Ramazani na mëson se dhimbja e tyre duhet të jetë edhe shqetësimi ynë, ndërsa shpresa e tyre edhe lutja jonë.
Lus Allahun e Madhëruar që t’i pranojë veprat tona të mira, të na falë mëkatet tona dhe të na japë forcë që nga muaji i Ramazanit të dalim më fisnikë si individë, më të përgjegjshëm si shoqëri dhe më të vendosur për të kontribuar në të mirë, për të qenë bartës të paqes, ndërtues të besimit dhe ruajtës së dinjitetit të çdo njeriu.
Të gjithë myslimanëve dhe myslimaneve në Mal të Zi dhe në diasporë ua përcjell urimet e mia të sinqerta me rastin e ardhjes së muajit të bekuar.
Ramazani Sherif mubarek olsun!








