Ulqin – Në prag të muajit të bekuar të Ramazanit, Mexhlisi i Bashkësisë Islame në Ulqin organizoi një cikël ligjëratash me temën “Mirë se vjen Ramazani – Muaji i Reflektimit dhe Adhurimit”. Ky program u mbajt të premten, më 14 shkurt 2025, në xhaminë e Pinjeshit, pas namazit të jacisë, ku të pranishëm ishin hoxha Burhanudin Fili dhe Dr. Ahmed Kalaja nga Tirana.

Programi u hap nga Kryeimami i Ulqinit, Ali ef. Bardhi, i cili shprehu falënderimet për pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e këtyre tubimeve për të ndjerë dhe përjetuar atmosferën e Ramazanit. Ai vuri në dukje se aroma shpirtërore e këtij muaji të bekuar tashmë ka filluar të ndihet, dhe se ligjërata të tilla ndihmojnë besimtarët të përgatiten shpirtërisht për të.

Në fjalën e tij, Hoxha Burhanudin Fili e cilësoi Ramazanin si muajin e familjes, ku të gjithë e presin me dashuri dhe gëzim të bashkuar. Ai ndau këshilla të vyera dhe prekëse, duke folur me butësinë e një prindi, një babai dhe një gjyshi, çka emocionoi të pranishmit.

Nga ana tjetër, Dr. Ahmed Kalaja theksoi rëndësinë e mirënjohjes dhe falënderimit ndaj njëri-tjetrit, veçanërisht ndaj hoxhallarëve të vjetër, të cilët kanë kaluar dhe duruar shumë sfida përgjatë historisë. Ai u kujtoi besimtarëve se duhet të ndihen të lumtur dhe të përgëzuar, pasi janë ndër të zgjedhurit e Zotit, të cilëve u është dhënë udhëzimi i fesë së mrekullueshme islame.

Kjo natë shënoi një moment të veçantë për besimtarët e Ulqinit, duke i frymëzuar për një përgatitje shpirtërore të thellë në prag të muajit të madhërueshëm të Ramazanit.