Mexhlisi i Bashkësisë Islame në Ulqin vazhdon me organizimin e ciklit të ligjëratave fetare me temën “Mirësevjen Ramazan – Muaji i Reflektimit dhe Adhurimit”.

Në qendrën e komunitetit në Kryth, salla ishte e mbushur me besimtarë nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja dhe më gjerë, të cilët kishin ardhur për të ndjekur këtë tubim të veçantë.

Ligjëruesit e kësaj mbrëmjeje ishin humanisti dhe hoxha Burhanudin Fili, i cili kishte ardhur nga Amerika, si dhe Dr. Zekerija Bajrami nga Shkupi. Ata ndanë mesazhe frymëzuese mbi rëndësinë e Ramazanit si muaj reflektimi, adhurimi dhe afërsie me Zotin.

Një atmosferë e veçantë u krijua edhe nga aktori Basri Lushtaku, i cili me interpretimin e tij të pjesëve të ndryshme u dha emocion dhe kënaqësi të pranishmëve. Po ashtu, hoxha nga Tivari, Ismail Hysaj, me zërin e tij, e bëri këtë mbrëmje edhe më të ndjerë dhe të veçantë.

Ky cikël ligjëratash vazhdon të mbledhë besimtarët, duke i ofruar atyre mundësinë për të thelluar dijen dhe për të përjetuar vlerat shpirtërore të Ramazanit në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore.