Bashkësia Islame e Kosovës promovoi veprat e myftiut Naim ef. Tërnava, “Besimi Islam” në dy vëllime, “Shkenca e Imul Kalamit” dhe “Ligjërata mbi fenë dhe atdheun III”.

Në promovimin e veprave të myftiut Naim ef. Tërnava nga Mali i Zi, mori pjesë në ndihmës Reisi Omer ef. Kajoshaj dhe imam nga Ulqini Astrit ef. Nikaj.

Ndihmës Reisi Omer ef. Kajoshaj, përcolli selamet dhe urimet e Reisit Rifat ef. Fejziq, drejtuar Myftiut Tërnava. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kajoshaj, foli për veprën, vlerën, kontributin dhe rëndësinë e veprës së Myftiut Tërnava, ku theksoi se ai ishte dhe është frymëzim dhe motivim për shumëkënd.

Për publikimet foli kreu i Bashkësisë Islame Fetare në Maqedoninë e Veriut, Shaqir ef. Fetahi, i cili theksoi kontributin e pamatë të Myftiut Naim ef. Tërnava, sidomos në formën e botimeve të tij.

Myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava, tha se këto botime janë të dedikuara për publikun shqiptar dhe ata që duan të lexojnë. Ai tha se këto botime përmbajnë tema të ndjeshme pas izolimit diktatorial dhe okupues që kaloi Kosova.

“Këto vepra janë pikërisht baza që lidhet drejtpërdrejt me jetën e njeriut në këtë botë dhe në botën tjetër. Në besimin tonë Islam argumenti është baza mbi të cilën ndërtohet një vepër, andaj jam munduar që veprat e mia t’i mbështes me hadithe dhe ajete nga Kur’ani Famëlartë”, tha myftiu Tërnava.