Stamboll – Në kuadër të konferencës ndërkombëtare “Islami dhe Humaniteti, një përgjegjësi e përbashkët: Gaza”, e cila po zhvillohet në Stamboll me pjesëmarrjen e 150 dijetarëve nga 50 vende, u shpall 28 gushti si ditë agjërimi dhe lutjeje për Gazën.

Takimi i cili nisi dje pas faljes së xhumasë në Xhaminë Ejupsulltan, organizohet nga Bashkimi Botëror i Dijetarëve Myslimanë në bashkëpunim me Fondacionin e Dijetarëve Myslimanë të Turqisë dhe do të zgjasë një javë.

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Botëror të Dijetarëve Myslimanë, Ali Karadagi, theksoi se qëllimi i këtij tubimi është “të përmbushet përgjegjësia fetare dhe historike ndaj Palestinës” dhe të shpallet se çështja e Gazës nuk është vetëm e palestinezëve, por një kauzë e gjithë umetit dhe mbarë njerëzimit.

Kreu i Diyanetit, Prof. Dr. Ali Erbaş, në fjalën e tij nënvizoi se “çështja e Palestinës është një provë e ndërgjegjes. Paqja nuk do të mbërrijë në botë pa drejtësi në Palestinë. Ky genocid duhet ndalur me unitet dhe vendosmëri”.

Kryetari i Fondacionit të Dijetarëve Myslimanë, Prof. Dr. Nasrullah Hacımüftüoğlu, bëri të ditur se ndër vendimet kryesore të konferencës është shpallja e 28 gushtit si ditë agjërimi për Gazën, duke ftuar gjithë botën islame dhe njerëzit e ndërgjegjes që atë ditë të bashkohen në lutje dhe solidaritet me popullin e Palestinës.

Në ditët në vijim, në ishullin Demokracia dhe Liritë do të mbahen 18 punëtori paralele, ku do të trajtohen çështje të tilla si kriza humanitare në Gaza, shenjtëria e Mesxhid al-Aksasë, rezistenca në Bregun Perëndimor dhe dimensionet e ndryshme të çështjes palestineze. Konferenca do të përmbyllet më 29 gusht 2025 me faljen e xhumasë në Xhaminë e Ajasofjas dhe me shpalljen e një deklarate përfundimtare.