Në oborrin e Xhamisë së Shtojit – Ulqin, u mbajt promovimi i librave të Prof. Dr. Shefik Kurdiq.
Në hapje të programit, të pranishmit i përshëndeti imami i xhamisë, Teologu Emill ef. Kallaba, i cili foli shkurtimisht për rëndësinë e dijes dhe prezantoi tre nga librat më të rinj të autorit.
Në vijim, pas përshëndetjeve dhe falënderimeve, autori Prof. Dr. Shefik Kurdiq mbajti një ligjëratë dhe analizë të shkurtër mbi veprat e tij, me theks të veçantë në tre botimet më të fundit. Deri më sot, Prof. Dr. Kurdiq është autor i 60 librave dhe përkthimeve në gjuhën boshnjake, duke dhënë një kontribut të çmuar në fushën e dijes islame dhe kulturës.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe personalitete të shquara të jetës fetare dhe intelektuale si:
• Kryeimami i Mexhlisit të Ulqinit, Mr. Ali ef. Bardhi
• Sekretari i Mexhlisit, Mr. Suad ef. Ukoshata
si dhe një numër i madh hoxhallarësh, xhematlinjsh vendas dhe mysafirë të tjerë.
Programi u zhvillua në një atmosferë të këndshme dhe vëllazërore, duke lënë mbresa pozitive tek të gjithë të pranishmit.








