Reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi Rifat ef. Fejziq, ka reaguar ndaj propozimit për ndryshimin e ligjit për kompensimin e veteranëve dhe personave me aftësi të kufizuara dhe ka apeluar te përfaqësuesit e Kuvendit të Malit të Zi që të korrigjojnë padrejtësinë e mundshme duke e ndryshuar atë.
“Si Reis i bashkësisë Islame në Mal të Zi, më duhet të shpreh shqetësimin dhe zhgënjimin tim me këtë amendament të propozuar të ligjit për mbrojtjen e veteranëve dhe personave me aftësi të kufizuara, i cili kam frikë se paraqet diskriminim ndaj viktimave civile mbi baza të ndryshme, duke përfshirë edhe bazat fetare.
I bëj apel deputetëve të Kuvend, sepse nuk është vonë që ta korrigjojnë këtë padrejtësi të mundshme me amendament sa të jetë e mundur. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse jo vetëm që do të jetë një padrejtësi e re për viktimat e luftërave të viteve 1990 dhe familjet e tyre, por do të sjellë edhe përçarje të përhershme në shoqërinë tonë. Dua të besoj se shumica e deputetëve në kuvend nuk do ta lejojnë këtë dhe do të bëjnë atë që është e drejtë dhe më e mira për shoqërinë tonë.
Të gjithë njerëzit në këtë botë janë të barabartë. Reagimi im do të ishte i njëjtë edhe nëse, Zoti na ruajt, ndryshimet e propozuara në këtë ligj favorizojnë vetëm viktimat e besimit Islam. Ju lutem, edhe një herë, mos na ndani. Çdo viktimë e pafajshme është e shenjtë dhe çdo vuajtje është e njëjtë.” përfundoi Fejziq.