Ulqin, 7 Mars 2025 – Me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, Reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat ef. Fejziq, mbajti hytben e parë në xhaminë e Pinjeshit në Ulqin.
Xhamia ishte e mbushur plot me xhemat, të cilët kishin ardhur për të dëgjuar mesazhin e Ramazanit dhe rëndësinë e këtij muaji për besimtarët myslimanë. Në fjalën e tij, Reisi Fejziq theksoi vlerën e agjërimit, solidaritetin dhe afrimin me Zotin përmes lutjeve dhe veprave të mira.
Ai gjithashtu uroi të gjithë besimtarët për këtë muaj të bekuar, duke i inkurajuar që të kalojnë ditët e Ramazanit me devotshmëri, paqe dhe harmoni.
Pas faljes së xhumasë, xhemati pati mundësinë të takohej me Reis Fejziqin, duke ndarë me të urimet dhe mendimet e tyre për këtë periudhë të veçantë të vitit.
Muaji i Ramazanit, i cili simbolizon agjërimin, adhurimin dhe mëshirën, vazhdon të mbetet një periudhë e rëndësishme për besimtarët në Mal të Zi dhe më gjerë.