Abdelkader Harkassi, Abdallah Hernandez dhe Tariq Rodriguez, të cilët u nisën nga Spanja dhe po udhëtojnë me kuaj prej 3 muajsh për të kryer Haxhin, mbërritën në kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, Sarajevë.

Të nisur nga jugu i Spanjës tre muaj më parë, këta tre shokë po udhëtojnë me kuaj për të përjetuar Haxhin e myslimanëve andaluzianë 500 vjet më parë dhe për të përmbushur detyrimin e tyre fetar.

Pelegrinët, të cilët do të përshkojnë më shumë se 8 mijë kilometra, synojnë të arrijnë në Arabinë Saudite duke kaluar nëpër Itali, Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Bullgari, Greqi dhe Turqi.

Një nga ndalesat e tyre ishte edhe Sarajeva, ku pelegrinët vizituan qytetin historik me kuaj dhe morën shumë vëmendje nga turistët dhe banorët vendas. Ata gjithashtu vizituan monumentet osmane në qytet dhe bënë fotografi me ata që i pritën me interes dhe dashamirësi.

Harkassi, organizatori i këtij udhëtimi, tha se ata po realizojnë ëndrrën e tyre për të kryer haxhin.
“Ne kemi kaluar shumicën e Evropës dhe tani jemi në Sarajevë. Ky është kulmi i udhëtimit tonë, elhamdulilah. Falënderojmë popullin boshnjak, që nga momenti kur kaluam kufirin na kanë ndihmuar shumë,” tha ai.

Tre pelegrinët gjithashtu po dokumentojnë udhëtimin e tyre dhe e ndajnë atë në rrjetet e tyre sociale.