Dihet se vitet më të mira të fesë islame janë padyshim ata që e panë Pejgamberin tonë (a.s.) dhe “Epoka e lumturisë” në të cilën Pejgamberi ynë tha: “Më i miri i shekujve është shekulli im.” I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe shokët e tij të shquar kanë arritur nivelin më të lartë që mund ta arrijë shpirti i njeriut. Flasim për shembujt e thesareve më të çmuara të atyre kohërave të larta e të shenjta…
Vitet më të lavdishme të fesë islame padyshim janë në periudhën e “Epokës së Lumturisë”. Pejgmberi ynë (Salallahu alejhi ue selem) dhe shokët e tij janë gjenerata e parë muslimane, umeti i parë që do të jetë shembull për besimtarët. Sahabët gjithmonë kishin një vend të rëndësishëm me përkushtimin, nënshtrimin dhe mbështetjen që i tregonin Pejgamberit (a.s.). Ata punuan për përhapjen e fesë së Pejgamberit tonë (a.s.) si gjatë jetës së tij ashtu edhe pas vdekjes së tij, si dhe për të siguruar një kuptim të saktë dhe të sigurt të islamit. Në lidhje me sahabët, Allahu i Madhëruar e shpreh miratimin e Tij me ta në këtë mënyrë në suren Et-Teube:
“All-llahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve-ndihmëtarë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhennete, në të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetë të pasosur. E ky është fitim i madh.” (Sure Et-Teube, 100)
Karakteristikat që e bëjnë sahabët të rëndësishëm përshkruhen në Kur’anin e Shenjtë si më poshtë: “Muhammedi është i dërguar i All-llahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh kah përulen (në rukuë), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë prej All-llahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Tevrat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin. (All-llahu i shumoi). Për t’ua shtuar me ta mllefin jobesimtarëve. All-llahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.” (Sure el-Fet’h, 29)
Ashab, është shumësi i fjalës “sahab”; që do të thotë “shok, mik”. Në kuptimin e drejtpërdrejtë, sahab, është personi që e ka parë personalisht Pejgamberin (a.s) gjatë pejgamberisë së tij, i ka besuar atij dhe ka vdekur si mysliman.
Edhe pse sahabëve iu dha lajmi i mirë i i shpërblimit me Xhenet nga Allahu, ata kurrë nuk u vetëkënaqën, përkundrazi, i shtuan edhe më shumë përpjekjet e tyre. Ata mbahen fort pas litarit të Allahut (xh.sh), pra Islamit, dhe kurrë nuk e kanë dobësuar apo liruar këtë lidhje. Sahabët e mbanin gjithmonë të gjallë dashurinë dhe bindjen ndaj Allahut (xh.sh) dhe të Dërguarit të Tij (a.s).
Besnikëria e sahabëve ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) është shembull për muslimanët. Ata: “O i Dërguari i Allahut!Bëje atë që të urdhërohet, ne jemi me ty.”(Transmeton Buhariu)
Sahabët, bërthamat e para të shoqërisë muslimane, luajtën një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie të re në atë kohë. Pejgamberi (a.s) ndërtoi një shoqëri në një periudhë prej 23 vjetësh dhe ndërtimi i kësaj shoqërie la gjurmë të mëdha me shembullin e tij. Në mesin e sahabëve, Ebu Bekri (r.a.) është personi më i përmendur si shembull në këtë drejtim. Ndjekja e sahabeve të Pejgamberit (a.s.) nuk ishte në nivelin e imitimit. Ata i kishin përvetësuar mesazhet e shpallura të Kur’anit.