Sot në Shtoj të Ulqinit, është bërë hapja e xhamisë në të cilën përveç krerëve të Bashkësisë Islame në Mal të Zi kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Komunës së Ulqinit.
Reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi Rifat ef. Fejziq në hapje, tha se nga xhamitë tona nuk duhet të dalë asnjë zë që do të ofendonte dikë dhe se zërat e bashkëjetesës dhe tolerancës duhet të dëgjohen nga ndërtesat tona.
“Asgjë nuk mund ta bëjë një njeri të mirë si besimi. Asgjë nuk mund ta bëjë një person të ndershëm, të sinqertë dhe të besueshëm si besimi. Po kështu, asgjë nuk mund të jetë një mjet manipulimi si besimi. Nga xhamitë tona nuk duhet të dalë asnjë zë që fyen apo nënçmon dikë. Islami është dritë, ai që mbyll sytë para tij, vetëm errësirë i krijon vetes. Nga xhamia duhet të dalin vetëm mesazhe bashkëjetese dhe tolerance. Akti i parë i shkruar, brenda historisë islame, “Karta e Medinës” flet për bashkëjetesë dhe unitet në dallimet mes traditave dhe fevë tjera”, tha Reis Fejziq.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, theksoi se xhamia në Shtoj është rezultat i ndjeshmërisë së komunës ndaj kërkesave dhe nevojave të xhematit dhe bashkësisë Islame. Ai deklaroi se Komuna kishte ndjesi për kërkesat e xhematit edhe më parë kur bëhej fjalë për caktimin e parcelës për rindërtimin e xhamisë së detarëve, kthimin e vakëfit në Valdanos dhe caktimin e shfrytëzimit të parcelës së xhamisë që ka qenë e vendosur në qendër të qytetit.
Kryetari i bordit drejtues të xhamisë, Zeka Zekiq, ka falënderuar të gjithë të interesuarit për projektin e xhamisë në Shtoj dhe në veçanti falënderoi donatorët.
“Detyra tjetër është ringjallja e xhamisë. Le të jetë fener për të rinjtë, si dhe të shërbejë për ruajtjen e traditës dhe kulturës islame të jetës”, tha Zekiq.
Kryetari i Mexhlisit të Bashkësisë Islame të Ulqinit, Blerim Bajraktari, i cili hapi ceremoninë, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se kjo xhami do të pasqyrojë paqen, lumturinë dhe bereqetin përmes përhapjes së besimit.
“Imamët e këtyre xhamive do t’i rrisin fëmijët, do t’u mësojnë moralin dhe sjelljen e mirë dhe ky është vërtet një sukses i madh. Hapja e xhamisë pra është Bajram për këtë vend dhe këtë zonë”, theksoi Bajraktari.
Kryeimami i Mexhlisit të Bashkësisë Islame të Ulqinit, Ali Bardhi, theksoi se kjo është hera e parë që hapet një xhami në këtë pjesë të Mexhlisit të Ulqinit.
“Ajo që shohim sot është rezultat i përpjekjeve të banorëve të këtij vendi dhe të diasporës. Kjo xhami do të thotë vetëm lumturi, paqe, dashuri dhe tolerancë”, tha Ali Bardhi.
Imami i xhamisë, Emill Kallaba, tha se pas përfundimit të xhamisë duhet të punohet për një komunitet dhe shoqëri të shëndoshë.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të jetës fetare, politike dhe kulturore.