Një delegacion nga Bashkësia Islame e Malit të Zi zhvilloi një vizitë zyrtare në Fondacionin Turk për Çështje Fetare (TDV), në kuadër të një programi të veçantë për shkëmbimin e përvojave në fushat e arsimit dhe kulturës.

Delegacioni përbëhej nga kryetarë të këshillave islamë rajonalë (mexhlise), kryeimamë, përfaqësuese gra, zyrtarë të Bashkësisë Islame të Malit të Zi si dhe akademikë nga Medreseja “Mehmet Fatih”. Ata u shoqëruan nga Këshilltari për Çështje Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Podgoricë, Dr. Bahattin Akbaş.

Gjatë vizitës, delegacioni u mirëprit nga përfaqësuesit e lartë të Fondacionit, ku pati mundësi të zhvillojë diskutime të frytshme mbi praktikat dhe përvojat në fushën e arsimit dhe edukimit fetar. Në kuadër të programit, Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i TDV-së, z. Fatih Kayacan, zhvilloi takime konsultative me mysafirët, ndërkohë që delegacionit i ishte bashkuar edhe z. Dursun Ali Coşkun, Drejtor i Departamentit për Arsim dhe Rehberim në Diasporë pranë Presidencës së Çështjeve Fetare të Turqisë.

Në vijim të programit, përfaqësueset gra të delegacionit vizituan Qendrën për Gratë, Familjen dhe Rininë (KAGEM), ku u pritën nga znj. Hatice Kahyaoğlu, Drejtoreshë e Shërbimeve për Gratë, Familjen dhe Vullnetarizmin. Ato u informuan gjerësisht mbi aktivitetet dhe iniciativat që qendra zhvillon në këto fusha.

Ky program synon të thellojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve fetare të Turqisë dhe Malit të Zi, duke kontribuar në shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e marrëdhënieve në fusha si edukimi fetar, kultura dhe roli i gruas në shoqëri.