Dhjetëditëshi i parë i muajit Dhul-Hixhe është një prej periudhave më të bekuara dhe të dashura tek Allahu. Këto ditë mbartin vlera të jashtëzakonshme, të përmendura në Kur’anin Fisnik dhe në Sunnetin e të Dërguarit të Allahut Muhamedit ﷺ.
• Në këto dhjetë ditë Allahu i foli Musait (alejhi selam), përsosi fenë dhe u betua në to, duke treguar rëndësinë dhe madhështinë e tyre.
• Pejgamberi ﷺ ka thënë se adhurimi në këto ditë është më i dashur për Allahun se në çdo ditë tjetër të vitit. Kjo përfshin faljen e namazit, agjërimin, dhikrin dhe veçanërisht të shqiptuarit: Allahu Ekber, Elhamdulilah, Subhanallah dhe La ilahe il-lAllah.
• Dita e Arafatit, e cila bie më 9 Dhul-Hixhe, është dita më e mirë e vitit. Agjërimi në këtë ditë i shlyen mëkatet e një viti të kaluar dhe të një viti që vjen.
Allahu ka dalluar disa periudha kohore mbi të tjerat, dhe prej tyre janë:
• Dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes, si ditët më me vlerë të vitit.
• Dhjetë netët e fundit të Ramazanit, si netët më me vlerë të vitit.
Kështu, ai që arrin të përfitojë nga të dyja këto periudha, është prej njerëzve të suksesshëm.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke shkelur këta muaj!”
(Et-Teube, 36)
Ky ajet nënvizon madhështinë e katër muajve të shenjtë: Dhul-Kade, Dhul-Hixhe, Muharrem dhe Rexheb. Në këta muaj, si mëkatet ashtu edhe veprat e mira peshojnë më rëndë dhe kanë ndikim më të madh.
Çdo adhurim i vlefshëm në ditë të zakonshme, në këto dhjetë ditë është edhe më me vlerë. Për shembull, dita e xhuma është vetvetiu e veçantë, por kur bie brenda këtyre ditëve, vlera e saj shumëfishohet.
Allahu, nga mëshira e Tij, e ka bërë dhikrin (përmendjen e Tij) veprën më të lehtë dhe më të dobishme në këto ditë, në mënyrë që askush të mos privohet nga shpërblimi, përveç atyre që vetë e lënë pas dore këtë begati.